
Teuta Sahatqija, inxh dipl. (Kryetare e Partisë Reformiste ORA) Teuta Sahatqija ka lindur më 15 Prill 1962 në Prizren. Pasi kreu Shkollën fillore në Prizren, vazhdoj Gjimnazin Matematikor në Prishtinë (1977-1980), duke u bërë Gjimnazistja e vetme femër në dy gjeneratat e para. Pas Gjimnazit vazhdoj dhe diplomoj në Fakultetin e Elektroteknikës pranë Universitetit të Prishtinës (1980-1985), me rezultate të larta duke fituar edhe bursë universitare. - Karierën profesionale e filloj në ndërmarrjen “Printeks” në Prizren (1985-1987), duke vazhduar për shumë vite në KBI “Ereniku” si udheheqëse e Qendrës Kompjuterike (1987-1998). Pas luftës së Kosovës, Teuta Sahatqija krijon kompaninë për Teknologji Informative dhe Telekomunikim “IDEA Communications” në Gjakovë (1999-2004). Gjatë kohës kur ishte Drejtoreshë dhe Pronare e kompanisë, “IDEA Communication” pati një sukses shumë te madh në fushën e saj në nivel rajonal, duke krijuar një reputacion shumë të respektuar në tregun kosovar të Telekumunikimit. Vlen të theksohet edhe mbajta e kurseve të shumta për aftësim kompjuterik, ku Teuta Sahatqija trajnoj mbi 800 qytetarë për perdorim të kompjuterit dhe internetit, duke iu dhënë një rëndësi të vecante aftësimit të femrave. - Në vitin 2004 u kyc në politikë duke iu bashkuar një subjekti politik të sapoformuar, Partisë Reformiste ORA (atëherë Lista Qytetare ORA), ku menjeherë u bë Kryetare e parë e P.R. ORA Dega në Gjakovë. Pas rezultateve të kënaqëshme që arriti P.R ORA në Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2004, Teuta Sahatqija u bë Deputete e Kosovës, ku pas konsolidimit të Parlamentit të Kosovës, ajo u emërua Shefe e Grupit Parlamentar ORA, deri ne vitin 2007. Në Kuvendin e Dytë të P.R ORA në vitin 2005, ajo u zgjodh Nënkryetare e P.R. ORA. - Ne kuvendin e jashtezakonshme të P.R ORA në Mars të vitit 2008 ajo morri drejtimin e P.R ORA-së me shumice absolute votash nga anetatret e Kongresit te Partisë Reformiste ORA. Jeton në Gjakovë, është e martuar me Dukagjinin, nënë e Zanës, Hanës, Lekës dhe Blendit. Është njohëse e 5 gjuhëve të huaja.
|